Secondary Adv

Skema kombëtare e bujqësisë hap aplikimet më 25 maj, fondi arrin në 5.2 miliardë lekë

Fermerët shqiptarë do të kenë mundësi të aplikojnë nga dita e hënë për përfitimet e Skemës Kombëtare të Bujqësisë 2026, e cila këtë vit vjen me rritje të financimeve dhe lehtësim të kritereve për fermat e vogla.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Bujqësisë, Andis Salla, gjatë një interpelance në Kuvend, ku ai deklaroi se aplikimet për skemën kombëtare do të nisin më 25 maj.

 

“Skema kombëtare e mbështetjes për vitin 2026, aplikimet për të cilën fillojnë në datën 25, pra ditën e hënë, është hartuar pas konsultimeve dhe dëgjesave me fermerët në të gjithë vendin”, deklaroi ministri.

 

Sipas Sallës, skema është ndërtuar mbi prioritetet e zhvillimit të sektorit bujqësor dhe kombinon mbështetjen me grante investimi dhe pagesat direkte për fermerët.

 

Rriten financimet për blegtorinë dhe bletarinë

Fondi total i skemës për vitin 2026 arrin në 5.2 miliardë lekë dhe synon të përfshijë më shumë ferma të vogla përmes uljes së pragjeve minimale të përfitimit. Për blegtorët, mbështetja për lopët rritet në 12 mijë lekë për krerë, ndërsa numri minimal i tufës ulet nga 10 në 5 krerë. Për të imtat, financimi rritet nga 1,200 në 1,500 lekë për krerë, ndërsa pragu minimal zbret nga 100 në 50 krerë.

 

Për herë të parë, skema do të financojë edhe dosat me 7 mijë lekë për krerë, për fermat që kanë të paktën 5 krerë. Edhe sektori i bletarisë do të përfitojë mbështetje më të lartë. Financimi dyfishohet në 20 mijë lekë për zgjua dhe kriteri minimal ulet nga 50 në 25 koshere.

 

Pagesa edhe për sipërfaqet e mbjella

Ministri Salla bëri të ditur se për herë të parë do të nisë edhe pagesa direkte për sipërfaqet e mbjella. Fermerët që kanë mbi 3 hektarë tokë të mbjellë do të përfitojnë 10 mijë lekë për hektar për të gjitha kulturat bujqësore.

 

“Mbështetja po rikonceptohet dhe po lidhet më fort me objektivat e zhvillimit të sektorit”, deklaroi ministri, duke shtuar se skema i jep prioritet të rinjve, blegtorisë dhe bletarisë.

 

Hiqet nafta pa taksa

Ndryshe nga vitet e mëparshme, fermerët nuk do të përfitojnë më naftë pa taksa. Ministria e Bujqësisë argumentoi se skema nuk ka funksionuar siç duhet dhe është shoqëruar me abuzime.

 

Ndërkohë, fermerët do të përfitojnë kompensim prej 10 për qind të vlerës së autofaturës për produktet bujqësore dhe blegtorale të shitura, por vetëm nëse pajisen me faturë nga grumbulluesit ose agroturizmat. Sipas ministrit, kjo masë lidhet me formalizimin e tregut dhe mbështetjen direkte të prodhimit të shitur.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat